28 nëntor 1997

Evi Veliu | 24.12.2018 | nyje.al

Ora shënonte njëmbëdhjetë pa pesë në një ditë të freskët dhjetori. Pranë Fakultetit të Shkencave Sociale qëndronin në grupe disa studentë. Më tutje, pranë sallës 011, qëndronin disa studentë të tjerë që po përgatisnin sallën për një aktivitet të paralajmëruar disa ditë më parë. Vetëm përpara një jave kishim kaluar festat më të heshtura kombëtare, ndërsa atë ditë ishim mbledhur për të dëgjuar një copëz historie heroike nga rezistenca e popullit shqiptar, historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Minutat kalonin dhe grupet e studentëve filluan të ngjisnin shkallët për në auditoret përkatëse. Në sallën 011 kishte dhjetra të pranishëm, ndërsa në tavolinën e vogël përballë auditorit u ulën moderatori dhe një prej themeluesve të UÇK-së, z. Rexhep Selimi.

***

“Ne ishim vetëm disa dhjetra kur nisëm të organizohemi. Ishim studentë, kështu si ju. Unë vetë studioja letërsi në atë kohë, ndërsa një tjetër shok i yni studionte muzikë. Në fillim ne nuk dinim si ta quanim organizimin tonë, lëvizje a organizatë? E nëse organizatë, pse jo ushtri? Kështu ne krijuam atë që e quajtëm Ushtria për Çlirimin e Kosovës” – tha ai. Pas disa aksioneve të suksesshme, me ndihmën e medias dhe opinionit publik, ky organizim u njoh me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës, siç njihet edhe sot. Koha ishte e duhura. Nga gjithë sistemet e shpërbëra komuniste të lindjes, Jugosllavia pati rrezikun më të madh të shpërthente në luftra ndëretnike. Kosova kishte kohë që qe ndarë nga trungu mëmë dhe nuk e kishte ndalur kurrë luftën për liri. Këtë ndarje pushtuesi e manifeston ende duke i thirrur shqiptarët e Kosovës “shiptari” dhe ata të Shqipërisë, “albanski”. Për shqiptarët, mohimi i identitetit ishte një përsëritje e historisë dhe ata bënë atë që mund të bënin më mirë, të përgatiteshin së bashku. Një përgatitje paraprake e të rinjve nga ana ushtarake u realizua në Shqipëri gjatë vitit 1994. Atë kohë, Shpresa dhe Ymer Hoti të cilët ishin të pranishëm në sallën 011, e kishin shndërruar shtëpinë e tyre në Tiranë në një bazë për të rinjtë nga Kosova që ushtroheshin në Shqipëri. Shteti shqiptar iu siguroi atyre armët.

Në vitin 1997 ishin krijuar sakaq disa pika grumbullimi nëpër Kosovë duke u kthyer në strehë për ushtarët e ardhshëm të UÇK-së. Beteja nisi pikërisht Vojnik të Skënderajit, më 25 nëntor 1997. UÇK-ja ende nuk ishte shpallur dhe ndërmerrte aksione fshehtas, por Vojniku ishte identifikuar nga forcat serbe si një pikë pak më e shkëputur prej të tjerave. Policë civilë serbë planifikonin të hynin fshehtas atje. Këtë e vuri re pika e Vojnikut, ndaj edhe u përgatit t’iu dilte në pritë. Pas sulmit të parë, policët civilë serbë u larguan, por dihej se do të ktheheshin. Luftëtarët e Vojnikut lajmëruan edhe pika të tjera të afërta për t’u ardhur në ndihmë për vazhdimin. Rrethinat i kishin dëgjuar krismat e 25 nëntorit. Grupet e ushtarëve nga krahinat e tjera i erdhën në ndihmë Vojnikut për t’ju paraprirë ngjarjeve. Dihej tashmë se forcat serbe do të reagonin. Më 26 nëntor ushtarët dolën në pritë në pika strategjike dhe kapën në befasi kolonën serbe që ishte kthyer drejt Vojnikut me armatime të rënda. Në këtë pritë forcat serbe pësuan dëme të mëdha dhe u detyruan të tërhiqen e të kthehen pas. Gjatë kësaj tërheqje, ata nuk e ndalën sulmin duke gjuajtur mbi shtëpi e shkolla, ku si rezultat u plagosën dy mësues. Njëri prej të plagosurve, mësuesi Halit Geci, ndërroi jetë në spital. Varrimi i tij u bë në një ditë historike, më 28 nëntor. Aty morën pjesë masivisht njerëz nga të gjitha rrethinat. Ky ishte rasti ideal që UÇK-ja të dilte në skenë dhe t’i tregonte popullit që nuk kishte rrugë tjetër përveç armatosjes për liri. Kështu ndodhi. Ushtria Çlirimtare e Kosovës u shpall më 28 nëntor 1997.

Kjo ngjarje u hapi rrugë të tjera përpjekjeve, ku ndër më heroiket dhe të përgjakshmet ishte edhe qëndresa e Prekazit e udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari. Këtu, “ndërsa ka ndodhur që kur heroi vdes lufta mbaron, te ne ndodhi që kur heroi ynë legjendar vdiq në qëndresë, ne e vazhduam luftën edhe më të shumtë në numër” – thotë z. Selimi. Epopeja e Adem Jasharit solli 4 procese të rëndësishme: vazhdimin e luftës duke qenë nën sulm, pranimin e rekrutëve të rinj për t’u përzgjedhur e përgatitur, armatimin përmes Shqipërisë dhe riorganizimin e brendshëm logjisitk.

UÇK-ja e fitoi luftën edhe me ndihmën e NATO-s. Gjatë aksioneve nga ajri të kësaj të fundit, UÇK-ja shërbeu më së miri nga terreni, si të ishte pjesë integrale e NATO-s. E megjithatë, tani pas luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë gjërat nuk janë kthyer në vendin e tyre. “Në Kushtetutën e Kosovës nuk përmendet as UÇK-ja e as lufta çlirimtare e Kosovës, prej nga erdhi edhe pavarësia e saj” – thotë z. Selimi. Ndonëse flamuri i kuq me shkabë priu luftën nën betimin për bashkimin me Shqipërinë, sot Kosova është shtet i mëvetësuar që valëvit një tjetër flamur. Shteti i ri është i vetmi nga shtetet që u ndanë me luftë nga Jugosllavia që ka pranuar ngritjen e një Gjykate Speciale për të gjykuar krimet e bëra nga UÇK-ja gjatë kohës së luftës. Për shumë pjesëmarrës në luftën çlirimtare kjo është e papranueshme. Ka rreth 1600 shqiptarë të pagjetur nga koha e luftës për të cilët Serbia nuk jep përgjigje. Ka plot gra, pleq e fëmijë shqiptarë të dhunuar e të torturuar gjatë luftës nga ushtarakët serbë. “Ndonëse ka rreth 500 fëmijë nën moshën 9-vjeçare të ekzekutuar nga ushtarakë serbë gjatë luftës, nuk ka as edhe një fëmijë serb të vrarë gjatë luftës nga UÇK-ja” – thotë z. Selimi. E megjithatë, shumë prej partive politike në Kosovë shpallen të jenë

Me z. Rexhep Selimi në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës, 4 dhjetor 2018

të krahut të luftës. “Asnjë subjekt politik nuk është i dalë nga UÇK-ja, pasi ajo e pushoi veprimtarinë e saj përpara formimit të tyre. Për të parë sa i qëndrojnë pastaj luftës çlirimtare këto subjekte mjafton të shihen statutet dhe programet e tyre politike” – thotë z. Selimi duke e përmbyllur këtë temë.

Në rradhën e pyetjeve nga salla ngrihet çështja se deri ku shkonte gruaja në hierarkinë e UÇK-së. “UÇK-ja nuk kishte status më të lartë në hierarkinë e vet se ai i heroit. E ne kemi patur gra heroina që kanë rënë dëshmore në frontin e luftës” – thotë z. Selimi ndërsa tregon shembuj të trimërisë dhe luftës së grave.

***

“Unë, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre. Do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i diciplinuar, i gatshëm që në çdo kohë pa kursyer as jetën time të luftoj për t`i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhëtoj, qoftë i humbur gjaku im.
Betohem, betohem, betohem.”

Nuk ka luftra më të dhimbshme se ato që harrohen dhe heronj më të përndritur se ata që kujtohen, mendova duke lexuar betimin e ushtarit të UÇK-së. Kështu, nisa ta shkruaj këtë ngjarje për të mos i lënë të kalojnë në heshtje këtë vit 28 nëntorët tanë të bujshëm.

Na ndiqni në:
Follow by Email
Facebook
YouTube
Instagram

Lini një Përgjigje