20:15

28.02.2019| nyje.al
“Ku e more këtë orë?”, e pyeta nipin e vogël që sapo kthehej nga shkolla, duke parë që gjysmën e krahut ia zinte rrypi i orës e ndërsa fusha e saj eklipsonte pothuajse tërë trupin e tij. “Ma dha lali”, më tha. “E ka ble bashkë me një lazer te Nimetja. Një mijë lekë” dhe e shoqëroi me gishtin drejtues lart.
Qesha pa e fshehur dot dhe iu afrova për ta parë më nga afër orën. Më pas ai duke shquajtur dështimin dhe dalluar situatën ku diçka nuk po shkonte mirë, shtoi me pafajësi që punon por është një orë mbrapa. “Nuk ndërrohet se e provoi lali.”
Ishte një orë elektronike, me një fushë me numra digjital, pa akrepa, e cila pulsonte dypikëshin mes shifrave që nënkuptonte hapësirën prej një sekonde. Ia hoqa nga dora për ta rregulluar, e vendosa mbi tavolinë dhe po përpiqesha t’ia hapja kapakun me majën e një thike buke. U hap shumë lehtë. Kapaku mbrapa i fluturoi sapo ja afrova majën e thikës. Nuk ndërroheshin shifrat nëse shtypje butonat fals (ilustrues) që kishte anash saj por dhe duke e provuar me ata të brendshmit metalik. Provova të shtyp e ndërroj çdo gjë që të lëviznin shifrat e ta lija korrekt deri tek shpresa e fundit idiote, shtypja e fushës nga ku dilnin veçse ngjyrat e ylberit, por shifrat ngelën të njëjta. Nuk ndryshonin. 20:15. Arrita të dalloj në kapakun e saj shkrimin “Made in China”.
Ai ndiqte me kureshtje lëvizjet e mia kinse prej një orëndreqësi, duke pritur që në fund ta rregulloja ndërsa unë me thikën në duar po mendoja për vendin tim i cili në atë çast më erdhi po kaq i rrëmujshëm dhe delikat sa kjo orë. Dhe e gjitha kjo e krijuar nga manekinat institucionalë, politikanët tanë.
Në fund nuk mu duk dhe aq pa sens asosiacioni që bëra mes orës që nënkuptonte kohën dhe politikanët si vjedhësit dhe abuzuesit më të mëdhenj të kohës sonë. Ishte një orë që më solli ndërmend përfaqësuesit tanë, të zgjedhurit, kryeministër, deputetë, kryetarë bashkie, që nuk kanë ndërmend të ndryshojnë mendësi dhe nëse ne flasim, heshtim, kritikojmë, a protestojmë.
Unë kam qenë gjithmonë në anën e njerëzve (nëse ekzistojnë) që nuk votojnë kurrë duke qenë që më duken kaq njëlloj të gjithë. Një fyerje që kisha mundësi t’ia mohoja vetes kësaj rradhe.
Kjo orë e fiksuar tek 20:15 më kujtoi të gjithë ata që nuk duan t’ia dinë nëse ne ecim, nxitojmë, apo kemi ndaluar në vend.
Ka pak ditë që kam vendosur të injoroj atë kohë e të jetoj timen, kuptohet aq kohë sa mund të jetojë dikush që gënjehet me iluzionin që “Unë nuk jam dhe as kam qenë kurrë një qenie politike.” Kështu pretendoj të paktën. Një pavarësi që vështirë ta arrijë shqiptari i tre mijëvjeçarëve të fundit. Do ishte më dinjitoze për mua të kërcënohem nga disa qen të tërbuar të Kamzës teksa kaloj në rrugën për në shtëpi, sesa të kërcënohem nga vjedhja e abuzimi i kohës nga disa njerëz të vaksinuar, që mbajnë drejt kravaten dhe vijën e gjatë të pantollonave terital.
Politikanë “Made in China” që krijojnë realitete “Made in Albania”. Përpos kësaj, brenda këtij realiteti, nuk e humba fillin dhe i kërkova ndjesë nipit për dëmtimin e orës, e cila përfundoi e ndarë copash.
“Do të të blej një tjetër nesër, më të mirë.”
“Në rregull, por hiqe thikën nga duart”, shtoi ai.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje